BSH paralajmëron: Ulja e pragut të TVSH për bizneset e vogla mund të rrisë çmimet
Banka e Shqipërisë paralajmëron se ndryshimet e TVSH-së mund të ndikojnë çmimet dhe pritjet për inflacionin.

Ulja e pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset e vogla dhe rritja e normës standarde të këtij tatimi mund të sjellin presione në rritje mbi çmimet e konsumit. Paralajmërimi vjen nga Banka e Shqipërisë, e cila, megjithëse ka dhënë një opinion pozitiv për projektbuxhetin e vitit 2027, ka ngritur shqetësime për ndikimin e ndryshimeve fiskale në inflacion dhe për rreziqet që shoqërojnë realizimin e objektivave buxhetorë.
Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, gjatë prezantimit të opinionit në Komisionin Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, theksoi se plani i të ardhurave për vitin 2027 ndodhet në kufirin e sipërm të projeksioneve makroekonomike. Sipas saj, rreziqet që shoqërojnë supozimet e skenarit bazë mbeten të rëndësishme dhe kërkojnë masa për administrimin e tyre.
“Devijimet potenciale nga supozimet kërkojnë adoptimin e planeve të kontingjencës dhe potencialisht marrjen e masave shtesë, në varësi të shmangies së tyre nga skenarët bazë. Ne gjykojmë që, në çdo rast kur do të jetë i nevojshëm korrektimi fiskal i bazuar në kahun e shpenzimeve, me qëllim respektimin e limitit të deficitit buxhetor, duhet ndjekur një rend prioritar në kryerjen e shpenzimeve që sigurojnë eficiencë më të lartë,” tha ajo.
Ndryshimet e TVSH-së, ndikim i mundshëm në çmime dhe inflacion
Një nga çështjet kryesore të ngritura nga Banka e Shqipërisë lidhet me masat e propozuara në Paketën Fiskale 2027, veçanërisht ndryshimet në normat e TVSH-së dhe uljen e pragut të xhiros për përfshirjen e bizneseve në këtë skemë.
Sipas Bankës Qendrore, ulja e TVSH-së për disa produkte ushqimore bazë dhe reduktimi i taksimit të karburanteve pritet të ndikojnë në uljen e çmimeve. Nga ana tjetër, rritja e normës standarde të TVSH-së dhe përfshirja e më shumë bizneseve të vogla në skemën e këtij tatimi mund të ushtrojnë presion në drejtim të kundërt.
“Ulja e TVSH-së për disa ushqime bazë dhe reduktimi i normës së taksimit të karburanteve pritet të ushtrojnë ndikim në kahun rënës mbi çmimet, ndërkohë që rritja e përgjithshme e TVSH-së dhe reduktimi i pragut të xhiros për përfshirjen e bizneseve në skemën e TVSH-së mund të japin ndikim të kahut të kundërt.
Në tërësi, ne vlerësojmë se ndikimi neto i tyre do të varet nga pesha dhe shkalla e transmetimit te çmimet finale të konsumit. Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se ndikimi i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të taksave në inflacion ka natyrë të përkohshme. Megjithatë, efekte më të qëndrueshme mund të shfaqen nëse këto ndryshime ndikojnë pritjet për inflacionin, kërkesat për paga apo sjelljen e bizneseve në përcaktimin e çmimeve,” tha zj. Ahmetaj.
Vlerësimi i Bankës së Shqipërisë tregon se efekti përfundimtar i paketës fiskale mbi çmimet nuk mund të përcaktohet vetëm nga ndryshimi i normave tatimore, por do të varet edhe nga mënyra se si bizneset i reflektojnë ato në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
BSH kërkon shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve dhe investimeve publike
Në rekomandimet e saj për politikën fiskale, Banka e Shqipërisë përsëriti nevojën për një planifikim dhe realizim më të njëtrajtshëm të shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, veçanërisht të investimeve publike.
Sipas institucionit, përqendrimi i shpenzimeve në periudha të caktuara mund të krijojë luhatje të likuiditetit dhe të kërkesës agregate. Një shpërndarje më e balancuar e tyre do të mundësonte përdorimin më efikas të burimeve publike dhe do të ndihmonte në zbutjen e këtyre luhatjeve.
Banka Qendrore theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të kufirit të deficitit buxhetor dhe të përcaktimit të prioriteteve të qarta për shpenzimet, në rast se realizimi i të ardhurave do të rezultonte më i ulët se parashikimet.
Reforma e pensioneve, BSH paralajmëron presion nga plakja dhe emigracioni
Një tjetër rekomandim i përsëritur nga Banka e Shqipërisë lidhet me reformimin e sistemit të pensioneve, në kushtet kur zhvillimet demografike pritet të shtojnë presionet mbi financimin e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Sipas zëvendësguvernatores Natasha Ahmetaj, plakja e popullsisë, emigracioni dhe rënia e numrit të personave në moshë pune përbëjnë sfida afatgjata për qëndrueshmërinë e financave publike.
“Në një perspektivë më afatgjatë, trendet e pafavorshme demografike, si plakja e popullsisë, emigracioni dhe rënia e popullsisë në moshë pune, pritet të shtojnë presionet mbi financimin e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke thelluar sfidat për qëndrueshmërinë e financave publike. Kjo nënvijëzon rëndësinë e vijimit të reformave.
Banka e Shqipërisë inkurajon vijimin e përpjekjeve për reformimin e sistemit të pensioneve, me synim vendosjen e një ekuilibri të qëndrueshëm ndërmjet nivelit të përfitimeve dhe kapaciteteve financiare të skemës. Në veçanti, vlerësojmë të rëndësishëm shqyrtimin e mundësive për përshtatjen graduale të parametrave të skemës publike dhe zgjerimin e bazës së kontribuuesve, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të skemave plotësuese të pensioneve, në vijim të nismave të ndërmarra.
Paralelisht me to, e nevojshme është dhe përfshirja sistematike e projeksioneve demografike dhe e vlerësimeve të qëndrueshmërisë së skemave të pensioneve dhe të sigurimit shëndetësor në planifikimin fiskal afatmesëm dhe afatgjatë,” tha ajo.
Sipas Bankës së Shqipërisë, reforma duhet të synojë ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet nivelit të përfitimeve dhe mundësive financiare të skemës, përmes shqyrtimit të përshtatjes graduale të parametrave të pensioneve publike, zgjerimit të bazës së kontribuuesve dhe zhvillimit të mëtejshëm të skemave plotësuese.
Rreziqet fiskale, kërkohen skenarë alternativë dhe masa parandaluese
Banka e Shqipërisë theksoi se, në një mjedis ekonomik dhe financiar të karakterizuar nga pasiguri të larta dhe rreziqe të shtuara, forcimi i mekanizmave për identifikimin, vlerësimin dhe administrimin e rreziqeve fiskale mbetet veçanërisht i rëndësishëm.
Vëmendje e veçantë, sipas institucionit, duhet t'i kushtohet ndikimit që mund të kenë zhvillimet më pak të favorshme ekonomike dhe ndryshimet në kushtet e financimit mbi treguesit buxhetorë dhe ecurinë e borxhit publik.
“Ne gjykojmë se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ndikimit që mund të kenë mbi treguesit buxhetorë dhe trajektoren e borxhit publik, zhvillimet më pak të favorshme ekonomike dhe ndryshimet në kushtet e financimit.
Në këtë drejtim, rritja e përdorimit të analizave të ndjeshmërisë dhe e skenarëve alternativë në planifikimin buxhetor, si dhe identifikimi në kohë i masave për përballimin e rreziqeve të mundshme, do të ndihmonin në rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike dhe ruajtjen e aftësisë së politikës fiskale për t’iu përgjigjur goditjeve,” tha Zv/guvernatorja Ahmetaj.
Në tërësi, Banka e Shqipërisë e vlerëson pozitivisht projektbuxhetin 2027, por kërkon kujdes në administrimin e rreziqeve që lidhen me realizimin e të ardhurave, ndikimin e ndryshimeve tatimore në çmime, qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe menaxhimin e financave publike.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)